Dhjetëra viktima nga përmbytjet në Nepal – A2

Dhjetëra viktima nga përmbytjet në Nepal

Rrëshqitjet e dherave dhe përmbytjet e shkaktuara nga shirat musonike në Nepal kanë shkaktuar 12 viktima dhe 18 persona të tjerë janë shpallur të humbur.

Situata më e rënduar nga përmbytjet raportohet në lindje të vendit ku lumi Kosi ka arritur në nivelin maksimal dhe pritet nga momenti në moment të përmbytë zona të mëdha.

Lumi Kosi ka qenë një problem i madh si për Indinë ashtu edhe për Nepalin që në vitin 2008 kur doli nga shtrati dhe ndryshoi drejtim, duke prekur më shumë se 2 milionë persona. Në atë katastrofë natyrore më shumë se 500 persona humbën jetën.

Autoritetet kanë hapur 56 porta shkarkimi përgjatë lumit dhe ekipet e shpëtimit kanë nisur evakuimin e banorëve të zonave rurale. Zyra e motit iu kërkoi banorëve të jenë vigjilentë pasi reshjet pritet të intensifikohen në ditët në vijim.

Shkarkoni aplikacionin e A2