Procesi zgjedhor, Bardhi: Fletë votimi false në Vaun e Dejës

Partia Demokratike denoncoi sot një tjetër manipulim që, sipas saj, i është bërë votimeve të 30 Qershorit.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj partie, Gazment Bardhi, pas djegies së materialeve zgjedhore në KZAZ e Vaut të Dejës, procesi i votimit atje ka nisur me fletë votimi të falsifikuara. 

“Në KZAZ-në e Bashkisë Vau i Dejës, u dogjën në rrethana të panjohura, sipas një skenari të parapërgatitur nga Edi Rama dhe banda e tij në zonë, dhe për pasojë KQZ nxori jashtë përdorimit rreth 40 mijë fletë votimi dhe të gjithë materialet zgjedhore. Më tej, në 7 të mëngjesit në 30 Qershor, nga KQZ u raportua se edhe me angazhimin personal të Tom Doshit, person në listën e zezë të SHBA-së, gjithçka ishte në rregull, fletët e votimit kishin ardhur, materialet zgjedhore gjithashtu dhe se procesi kishte nisur në të gjitha qendrat e votimit të kësaj bashkie. Në fakt, e gjitha kjo është një gënjeshtër e KQZ-së. Sipas dokumentave zyrtare, rezulton se fletët e votimit, në orën 07:58 të datës 30 Qershor kanë qenë ende në doganën e Hanit të Hotit”, tha Bardhi.

“Nëse në orën 8 të mëngjesit fletët e votimit ishin ende në doganë, çdo shqiptar pyet sot se me çfarë fletësh votimi nisi procesi në orën 7.00?”, shtoi Bardhi.

Shkarkoni aplikacionin e A2