Stuhia “Barry”, shpallet gjendja e emergjencës në Luiziana – A2

Stuhia “Barry”, shpallet gjendja e emergjencës në Luiziana

Presidenti amerikan Donald Trump shpalli gjendjen e emergjencës në Luiziana, në prag të një stuhie të fuqishme tropikale. Stuhia “Barry” fitoi shpejtësi mbi gjirin e Meksikos gjatë ditëve të fundit dhe pritet të prekë tokën si një uragan i kategorisë së parë në Luiziana.

Më i godituri do të jetë Nju Orlinsi, ku kanë nisur tashmë shtrëngatat dhe rreshjet e dendura të shiut. Mijëra vetë kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa ekziston edhe rreziku i tornadove.

Shërbimi meteorologjik kombëtar parlajmëron se përmbytjet nga stuhia përbëjnë një kërcënim të madh: “Koha është e shkurtër dhe nuk premton. Nëse keni diçka për ta përfunduar, bëjeni shpejt pasi përmbytjet do të rrezikojnë jetët njerëzore”.

“Barry” do të testojë sistemet e mbrojtjes nga stuhitë të cilat u përmirësuan pasi uragani Katrina, në vitin 2005 zhyti në ujë pjesën më të madhe të Nju Orlinsit. Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e mijëra banorëve në zona të ulta, ndërsa banorët janë parlajmëruar të përgatiten duke siguruar rezervat e nevojshme ushqimore e të ndihmës së shpejtë.

Lumi Misisipi pritet të arrijë nivelin e 5,2 metrave. 

Shkarkoni aplikacionin e A2