Muri tjetër i SHBA, do të përfundojë brenda vitit 2025

Ndërkohë që debati për ndërtimin e murit në kufirin jugor me Meksikën vazhdon të mbetet i nxehtë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të ndërtojnë një tjetër mur në veri, për të ruajtur tokën nga përparimi i detit.

Sipas planit, muri që do të ngrihet në Staten Island, Nju Jork, do të jetë i gjatë më shumë se 8,5 kilometra dhe është planifikuar të përfundojë brenda vitit 2025. Parashikimet e zymta për përparimin e ujërave kanë bërë që autoritetet të shtyjnë inxhinierët që do të merren me zbatimin e projektit të përshpejtojnë hapat. Alarmi u ngrit pas një uragani të vitit 2012, ku dallgët që goditën zonën arritën deri në 10 metra lartësi.

Problemi i afrimit të ujit në dëm të tokës është vënë në qendër të vëmendjes së autoriteteve amerikane, ndërsa Qendra për Integritetin Klimatik ka vlerësuar që vendit mund t’i duhet të shpenzojë deri në 400 miliardë dollarë në 20 vitet e ardhshme për të mbrojtur qendrat e banuara në bregdet.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN