Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Një "vrasje" në teatër, Jul Cezari siç nuk e keni parë kurrë më parë

Nga A2 CNN
14 Korrik 2019, 13:16 | Kulturë

Mund ta njihni veprën, Shekspirin dhe Jul Cezarin, por nuk e keni parë asnjëherë kështu si do të mund ta shijoni të kuruar artistikisht nga Ivica Buljan.

I konsideruar si një ndër regjisorët më të mirë në botë nga New York Times, regjisori kroat mbërrin në Tiranë për një thirrje artistike, zgjedhjet e të cilit janë bërë politikisht dhe estetikisht.

Jul Cezari që do të shijoni në 2019-ën, është kryevepra e Shekspirit që vrasjen e të pushtetshmit do ta shihni të ndodhë aty, në Ministrinë e Brendshme. E gjithë vepra teatrale, të paktën skenat kryesore, do të zhvendosen aty, në ambientet mes dy teatrove, vrasja do të kryhet aty ku uniformat e policisë mblidhen për rendin, strategjitë e reja do të bëhen në sheshin ku bëhen protestat dhe spektatori mund të jetë çdokush.

Këtë koncept artistik në teatrin shqiptar mund ta sillte vetëm një i huaj, Ivica Buljan, një nga regjisorët më të vlerësuar sot në botë.

Regjisori Ivica Buljan

 “Përsëris shpesh këtë fjali. Teatri nuk është një kishë. Në kishë njerëzit bëjnë interpretimin e një teksti. Kanë në dorë një material për të lexuar dhe e zbatojnë atë. Por, në teatër çdo produksion është një krijim i ri. Dhe arsyet  pse vendosëm për të realizuar një shfaqje teatrale jashtë ambienteve të teatrit ishin sheshi i mrekullueshëm dhe ambienti që kemi këtu, që është i jashtëzakonshëm. Në një ambient të tillë vendosëm të staciononin 4 akte. Stacioni i parë është te pishina me audiencën pranë. Stacioni i dytë është ky ku jemi duke qëndruar, pra poshtë pemëve në parkun që ndan dy teatrot. Pastaj zhvendosemi te memoriali i ministrisë së Brendshme ku bëhet vrasja dhe stacionimi i fundit është ai tek skena ku protestojnë sot aktorët shqiptarë për teatrin”, thotë regjisori Buljan.

Këto zgjedhje janë të gjitha jo vetëm estetike por edhe politike. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në skenën teatrale shqiptare dhe për 15 aktorët që janë bërë pjesë e kësaj trupe pasi kanë fituar besimin e regjisorit kroat, kjo është një përvojë që në gjuhën artistike i mëson shumë teatrit në Shqipëri.


Pamje nga skena përballë ministrisë së Brendshme

Ka vendosur të luajë jashtë ambienteve të teatrit edhe sepse mesazhi që do të japë është edhe politik. Kështu ka theksuar regjisori që përtej shkollës dhe eksperiencës në skenën teatrale ka edhe një diplomë për shkenca politike.

“Këto zgjedhje janë të gjitha jo vetëm estetike por edhe politike. Situata jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Serbi e Francë apo vende të tjera e bën këtë vepër të pushtetshme, të pushtetshme edhe mbi mendësinë e publikut që do ta shijojë”, vijon Buljan.

Në gjithë këtë produksion eksperimental e plot risi, ajo që ka mbetur e pandryshuar nga vepra e Shekspirit në shqip është gjuha. Regjisori kroat mund ta kishte vendosur në çdo gjuhë të botës këtë vepër, por në gjuhën shqipe, në shqipen e Fan Nolit Jul Cezari  tingëllonte më mirë se kudo në Europë.

Pamje nga skena përballë ministrisë së Brendshme

“Miqtë e mi nga Sllovenia dhe Kroacia janë këtu dhe mund ta thonë fare mirë se pse unë nuk e vura në këto gjuhë Shekspirin. Gjuha nuk duket aq e fortë sa shqipja. Ka muzikalitet për teatër, por në shqip ka muzikalitet dhe tragjedi, është një gjuhë që kur e kam dëgjua për herë të parë kam thënë: ka tinguj të fortë.  Kam përdorur tekstin origjinal dhe shumë përkthime, shumë gjuhë të përbashkëta kam krahasuar dhe renditur pranë njëra tjetrës, por përqasja me shqipen më ka pëlqyer më shumë. Unë tani e di se çfarë janë duke thënë aktorët sepse kam dy tekstet para, origjinalin dhe shqip, dhe ritmi dhe fortësia më pëlqejnë shumë. Në shqip më pëlqen si tingëllon”, thotë regjisori.  

Ivica Buljan kështu na fton që me gjuhën e Nolit të shijojmë një vepër të vjetër që aktorët shqiptarë premtojnë ta sjellin sa më aktuale në përmbajtje aq edhe moderne në mënyrën se si do ta përcjellin.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani