Pëson defekt anija e linjës Sarandë-Korfuz, pasagjerët presin me orë në det të hapur

Anija “Saranda Express” e linjës detare Sarandë-Korfuz, ka pësuar defekt në ujërat greke. Burime konfidenciale pranë Drejtorisë së Përgjithshme Detare, bëjnë me dije për A2 CNN se në bordin e anijes ndodhen 27 pasagjerë, shqiptarë dhe të huaj, si edhe 2 mjete, të cilat ishin nisur nga Korfuzi në drejtim të Sarandës.

Në momentin e parë, ka pasur panik te pasagjerët, të cilëve iu është dashur të qëndrojnë në det të hapur me orë të tëra. Po të njëjtat burime saktësojnë se mjeti lundrues po rimorkiohet nga mjetet ndihmëse greke për t’u nxjerrë afër Kasiopit në Korfuz.

Anije e “Saranda Express”, foto ilustruese

“Anija Saranda Express, me flamur shqiptar, e cila bën linjën Sarandë-Korfuz, në orën 16:45 ka pësuar defekt në sistemin e drejtimit dhe ka dhënë sinjalin SOS, ajo është zhvendosur në afërsi të zonës së Kasiopit në veri të ishullit të Korfuzit. Ne anije ndodhen 27 pasagjerë dhe 2 automjete. Kapitaneria e Portit Sarandë ka komunikuar me anijen dhe autoritetet e portit të Korfuzit të cilat po dërgojnë rimorkiatorët për ta tërhequr drejt portit të Korfuzit. Ju bëjmë me dije se nuk ka asnjë dëmtim apo problem për pasagjerët që ndodhen në anije.

Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme Detare

Gjithsesi, autoritetet shqiptare paralajmërojnë se anija do t’i nënshtrohet një kontrolli për shkaqet e defektit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN