Rekord në shtëpi për Hamilton, kryeson bindshëm në F1

Lewis Hamilton fitoi këtë të diel Çmimin e Madh të Britanisë, për herë të gjashtë në karrierën e tij, duke vendosur kështu rekordin si piloti me më tepër fitore në këtë cirkuit.

Kampioni i botës përfitoi nga futja e makinës së sigurisë kur kishin mbetur edhe 20 xhiro nga fundi  për të kaluar para shokut të tij të skuadrës te Mercedes, Valtteri Bottas, për të rritur kështu në 39 pikë epërsinë ndaj tij në krye të renditjes së pilotëve.

Kjo ishte fitorja e shtatë e Hamilton në dhjetë gara, arritur para publikut vendas, me 141 mijë të pranishëm në pistën e Silverstone. Fitorja bëri që britaniku të kalojë Jim Clark dhe Alain Prost, të cilët kishin fituar në këtë pistë pesë herë.

Në podium me të u ngjit shoku i skuadrës Bottas, i cili e mbylli gatrën 24,9 sekonda më pas, ndërsa Charles Leclerc i Ferrari-t arriti i treti. Garë për t’u harruar për Sebastian Vettel, i cili e mbylli në vend të 16, pasi mori edhe një penalizim prej 10 sekondash pas një incidenti me Max Verstappen.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN