Spaho: Rama gënjeu, në letër zyrtare qeveria pranon rritjen të çmimit të naftës

Partia Demokratike akuzoi kryeministrin se gënjeu kur tha se nuk ka rritje të çmimit të karburantit. Sipas dokumentit në faqen e Parlamentit dhe që mban firmën e ministres se Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, qeveria paralajmëron rritjen e çmimit për konsumatorët fundorë.

Nënkryetari i PD-së Edmond Spaho foli nga selia blu duke paraqitur një dokument ku sipas tij ministrja Balluku sqaron që këto kosto “mund të ndikojnë në çmimin ndaj konsumatorit, dhe që në këtë fazë është e pamundur të llogaritet tarifa e menaxhimit dhe të rezervës së sigurisë. Ky është dokument që gjendet në faqen zyrtare të Parlamentit dhe është prova që qeveria e Ramës i zhvat shqiptarët dhe i varfëron”.

Sipas Spahos, kjo ndërhyrje përfaqëson “një goditje direkte ndaj qytetarëve, 31% të së cilëve nuk ushqejnë dot plotësisht as fëmijët”, duke e lidhur vendimin me një nga arsyet që kanë shtyrë Departamentin Amerikan të Shtetit të gjykojë Shqipërinë si vendin më “të korruptuar në Ballkan”.  

Shkarkoni aplikacionin e A2