SPAK në shtator, sa i tremb politikanët drejtësia e re?

Po bëhen 3 vjet nga ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi. 40 ligje u hartuan për zbatimin e kësaj gjatë kësaj periudhe, por konsensusin e opozitës e mori vetëm ai për SPAK, strukturën e posaçme që do të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar tek zyrtarët e lartë.

Gjithsesi vështirësitë përmes të cilave kaloi edhe ky ligj paralajmëruan një retorikë politike të vazhdueshme me tone kërcënuese, por e rikthyer fuqishëm muajt e fundit.

Ndërsa në shtator Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme Antikorrupsion, pritet të ngrihen, opozita që ka braktisur Parlamentin është në shënjestrën e mazhorancës, si e frikësuar prej hetimeve të SPAK.

Por a kanë vërtetë frikë presidenti dhe drejtuesit e opozitës, nga hetimet e SPAK?

“Unë nuk kam frikë as nga drejtësia shqiptare, as nga drejtësia amerikane, as nga ajo europiane. Kam frikë vetëm nga Zoti”, deklaroi Monika Kryemadhi gjatë një proteste.

Po deputetët e mazhorancës?

“Në momentin që kam votuar reformën në drejtësi, nuk kam frikë. Kam frikë nga Ligji, por jo nga Drejtësia”, deklaron deputeti i PS-së dhe ish kryeministri Bashkim Fino.

Struktura e posaçme antikorrupsion do të hetojë dhe gjykojnë Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Ministrat dhe zëvendës ministrat, gjyqtarët e Kushtetueses dhe të Gjykatës së  Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm, kryebashkiakët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN