Inter bën ofertën për Lukakun, United e konsideron të pamjaftueshme – A2

Inter bën ofertën për Lukakun, United e konsideron të pamjaftueshme

Inter ka nisur përgatitjet për sezonin e ri nën drejtimin e Antiono Kontes me disa përforcime të rëndësishme, por ende pa zgjidhur dilemat e repartit ofensiv.

E ardhmja e ish-kapitenit Ikardi vijon të shqetësojë klubin zikaltër që duhet të gjejë zëvendësuesin e tij në krye të sulmit. Romelo Lukaku është emri që ëndërrohet prej kohësh në Milano, por oferta e Interit është e pamjaftueshme në drejtim të Manchester United. “Djajtë e Kuq” kërkojnë 83 milionë euro për sulmuesin belg, ndërsa italianët ofrojnë vetëm 60 milionë plus bonuse, shifër që mund të shkojë deri në 70 milionë euro, por që gjithsesi mbetet e pamjaftueshme për klubin anglez.

Si rrjedhojë, Inter kërkon të kalojë në planin B, që është sigurimi sa më parë i shërbimeve të Edin Xhekos, sulmuesit me përvojë të Romës. Nga ky zinxhir lëvizjesh do të hapej rruga për një tjetër sulmues, Gonzalo Higuain, i cili është pranë kryeqytetasve duke parë hapësirat e pakta tek Juventus, por edhe për shkak të joshjes së romanistëve të cilët i kanë ofruar “El Pipitas” shiritin e kapitenit.

Është argjentinasi ai që ka në dorë konkretizimin e të gjitha lëvizjeve në rast se do të pranojë kalimin tek Roma.

Shkarkoni aplikacionin e A2