Forcimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe transformimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në një zonë të paqes dhe qëndrueshmërisë, do të jenë përparësi e Kosovës gjatë kryesimit të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore(SEECP).
Këtë e tha ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë një konferencë me rastin e marrjes së kryesimit të procesit, që synon krijimin e një klime paqësore në rajon, me qëllimin kryesor të integrimit në strukturat euro-atlantike.
“Duke kapërcyer ndarjet përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe koherente ndaj bashkëpunimit rajonal dhe duke promovuar integrimin europian. Kryesimi i Kosovës do të jetë një vazhdimësi e parimeve të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore, deklaratave të samitit dhe do të bashkëpunoj me të gjitha shtetet pjesëmarrëse të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe strukturat relevante rajonale dhe ndërkombëtare”, tha Behgjet Pacolli, ministri Jashtëm i Kosovës.
Ai tha se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, mbetet synimi kryesor gjatë udhëheqjes së këtij mekanizmi. Kosova merr kryesimin disa ditë pasi bojkotoi takimin e zhvilluar si pjesë e procesit në Sarajevë, për shkak të ftesës jo të përshtatshme, sipas autoriteteve, nga kryetari aktual i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik. Ministri Pacolli tha se Kosova asnjëherë nuk do të hakmerret ndaj veprimeve të shteteve të tjera. Autoritetet e Bosnjës e cilësuan një goditje të rëndë për bashkëpunimin rajonal, mospjesëmarrjen e Kosovës.