Kunati i biznesmenëve indianë, arsyet pse Gjykata refuzoi ekstradimin e tij

Gjykata e Tiranës ka arsyetuar vendimin përmes të cilit refuzoi kërkesën e autoriteteve indiane të drejtësisë për ekstradimin e Hiteshkumar Patel.

Ai u arrestua në 21 mars në Rinas si i kërkuar ndërkombëtar për “pastrim parash”. Patel është kunati i vëllezërve Sandersara, biznesmenët indiane që morën pasaportën shqiptare, ndërsa ndiqeshin penalisht në Indi për mashtrim financiar në qindra milionë dollarë.

Në vendimin e siguruar nga A2CNN gjyqtari Gerd Hoxha thekson mungesën e një marrëveshjeje ekstradimi mes dy shteteve. Por duke iu referuar Konventës së Kombëve të Bashkuara Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, në të cilën prokuroria bazoi kërkesën për ekstradim, gjykata arsyeton se Hiteshkumar Patel nuk rezulton të jetë pjesë e ndonjë grupi të strukturuar kriminal.

Gjatë procesit, Patel ka kundërshtuar ekstradimin dhe ka paraqitur prova, që familja Sandersara, ku ai bën pjesë, përndiqen nga shteti indian për shkak të bindjeve politike dhe fetare. Gjykata konstaton se për shkak të frikës së persekutimit politik dhe fetar në Indi, ka kërkuar azil politik në Shqipëri, kërkesë që po shqyrtohet nga autoritetet shqiptare.

Por në vendim gjyqtari Hoxha nënvizon se mos ekstradimi nuk është kurrsesi një përjashtim nga përgjegjësia penale.

Shkarkoni aplikacionin e A2