Macron: Duam një marrëveshje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë

“Franca do një marrëveshje të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë” kështu deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron në një konferencë për shtyp me homologun serb, Aleksandër Vuçiç gjatë qëndrimit të tij në Beograd. Kreu i Elysee shprehu angazhimin e Francës dhe të tijin personalisht për vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë deri në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Serbia dhe Kosova janë shtete evropiane dhe ne duhet të ndihmojmë që kjo të bëhet fakt. Evropa duhet ta mbështesë rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh midis Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje konkrete në muajt e ardhshëm, Unë do të angazhohem personalisht për këtë, sepse besoj në Evropë. Nuk jam këtu për t’ju dhënë mësim. Nuk kam përgjigje, nuk ka zgjidhje magjike as në xhepin tim, as në atë të Gjermanisë, të Shteteve të Bashkuara apo të Rusisë. Do të organizoj një takim të posaçëm me udhëheqësin e Kosovës, me ju, kryeministren e Serbisë dhe kancelaren Merkel. Franca është e angazhuar për të gjetur një marrëveshje të qëndrueshme”, u shpreh Macron.

Nga ana e tij presidenti serb, Vuçiç falënderoi homologun francez për mbështetjen për zgjidhjen e problemeve dhe ngërçit me Kosovën. Ai vlerësoi Macron për bisedimet e sinqerta dhe shtoi se Serbia Serbia është e gatshme të pranojë ndihmën dhe përkrahjen e Francës në fushat e sundimit të ligjit dhe reformës gjyqësore.

Kreu i Elizësë mbërriti në Beograd të hënën pasdite, duke shënuar kësisoj vizitën e parë të një presidenti francez në Serbi, që prej Jacques Chirac-ut në vitin 2001. Macron u prit me nderime të larta. Pjesë e vizitës ishin edhe homazhet në monumentin që përkujton luftën e parë botërore. Dy presidentët vendosën lule në varrin e një heroine serbe që luftoi në Ballkan.

Shkarkoni aplikacionin e A2