Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, Kushi shpjegon arsyet – A2

Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, Kushi shpjegon arsyet

Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, shpjegoi në studion e “Ditari” në A2 CNN arsyet e pjesëmarrjes së ulët në zgjedhjet e 30 Qershorit.

“Në të gjitha bashkitë ka nisur analiza e detajuar për zgjedhjet dhe do të finalizohet në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Kemi konstatuar se mungesa e garës solli këtë pjesëmarrje, që në këndvështrimin tonë ishte normale për këtë specifikë të zgjedhjeve. Ndoshta ishte edhe më shumë sesa pritshmëritë tona. E rëndësishme është që arritëm të marrim votat e vitit 2017, por pjesëmarrja, që ishte diku te 23%, u ndikua nga mungesa e motivimit të shumë njerëzve për të votuar dhe presioni i madh që kishte në bashkitë e djathta para zgjedhjeve”, tha Kushi.

Deputetja socialiste nënvizoi se “në shtator duhet të ndërgjegjësohen të gjitha palët” dhe “opozita jashtëparlamentare është e ftuar që të vijë në tryezën e dialogut”.

Por, sipas saj, mazhoranca nuk do t’i plotësojë kushtet e opozitës: “Nuk mund të shkelim Kushtetutën dhe të tjetërsojmë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, gjithçka tjetër është në tryezën e bisedimeve. Nuk ka kompromis apo ndarje pushteti në tavolinë”.

Në lidhje me shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, Kushi tha: “Presidenti ka tejkaluar kompetencat dhe është bërë i njëanshëm, është bërë palë me opozitën. Ka muaj që ka marrë këtë qëndrim, që kur opozita doli nga Parlamenti. Edhe kur nisën protestat e dhunshme heshti dhe foli shumë vonë. Më pas, zhdekretimi i datës së zgjedhjeve i hodhi benzinë zjarrit. Ne gjykojmë që ai nuk mund ta mbajë më këtë detyrë të rëndësishme. Kemi vendosur të ndjekim për shkarkimin e tij procedurat që parashikon Kushtetuta”.

Shkarkoni aplikacionin e A2