Rritja e çmimit të naftës, PD: Qeveria gënjen, qytetarët do të paguajnë dy herë – A2

Rritja e çmimit të naftës, PD: Qeveria gënjen, qytetarët do të paguajnë dy herë

Partia Demokratike akuzoi qeverinë se gënjen kur thotë se rritja e çmimit të naftës vjen për shkak të detyrimeve ndaj Bashkimit Europian.

Këto detyrime janë plotësuar tashmë, deklaroi Enno Bozdo, ndërsa theksoi se qytetarët shqiptarë do të paguajnë dy herë të njëjtin mall. 

“Qeveria kërkon përsëri që të rrisë çmimin e karburantit dhe këtë e justifikon në emër të detyrimeve të Shqipërisë kundrejt Bashkimit Evropian dhe përafrimit të legjislacionit të fushës. Kjo është një gënjeshtër e pastër sepse Shqipërisë vërtet i kërkohet mbajtja e rezervave të sigurisë për karburantet për t’u përdorur në rast emergjence kombëtare, por kjo nuk është aspak një gjë e re. Industria shqiptare e sektorit të naftës dhe gazit e ka patur detyrimin për të mbajtur këto rezerva që në vitin 1999. Me amendimin që ju bë ligjit në vitin 2004, përcaktohet se industria duhet të mbajë 90 ditë rezerva shitje-konsum. Industria e ka plotësuar këtë kërkesë dhe koston e mbajtjes së kësaj rezerve e ka transferuar prej 15 vitesh në çmimin final të karburantit”, tha Bozdo.

Shkarkoni aplikacionin e A2