Vasili: Edi Rama po rrëmben edhe floririn e shqiptarëve – A2

Vasili: Edi Rama po rrëmben edhe floririn e shqiptarëve

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaroi se “Parlamenti i Edi Ramës ka votuar ndryshimin e një pike të vetme në ligjin e Rezervave Materiale të Shtetit” dhe me këtë ndryshim, sipas tij, “kryeministri ia ka hequr Qeverisë të drejtën që të vendosë, si deri më sot, për mallrat e grupit A, ku është ari pjesë kryesore e tyre dhe ka ligjëruar rrëmbimin në grushtin e tij”.

“Në një relacion skandaloz shpjegues të qeverisë, që shoqëroi ligjin, thuhej se “Kjo bëhej që këto blerje të kryheshin më shpejt, pra të mos vonoheshin nga mbledhjet e qeverisë dhe se hierarkia e akteve të tjera e kërkonte”. Ky mashtrim është sa bajat aq edhe provon qëllimet e errëta personale të kryeministrit në këtë aferë”, theksoi Vasili.

Më tej, nënkryetari i LSI-së shtroi disa pyetje: “Përse këtë vendimmarrje shumë të rëndësishme të qeverisë ai e rrëmben në grushtin e tij? Përse gënjen me shkakun gjoja për të bërë blerjet më shpejt, kur dihet botërisht që kryeministri e mbledh sa herë të dojë qeverinë, biles ky yni ngarkon edhe zv.kryeministrat të cilët e kanë bërë dhe e bëjnë me dhjetra herë? Përse gënjejnë me hierarkinë e akteve, kur dihet, që për shkakun se grupi A përmbante mallra me peshë si ari dhe argjendi ky atribut duhet të ishte vetëm i qeverisë? Ç’qëllim i errët fshihet pas këtij veprimi juridikisht të pajustifikueshëm e dënueshëm? Interesin e kujt cënonte diskutimi dhe vendimmarrja e hapur në mbledhjen e qeverisë për këto mallra ku bën pjesë edhe ari e argjendi? Përse nuk ka asnjë rast të përshkruar në relacion se kur na qenka vonuar apo penguar nga qeveria praktika e blerjes së mallrave të grupit A që i detyroi që t”i marrë kryeministri në grushtin e vet? Përse nuk ka asnjë ndryshim tjetër as në ligj dhe as në VKM nr.1128 datë 5.08.2008 për grupet e tjera të mallrave, të cilat janë edhe ato pjesë e Rezervave Materiale të Shtetit?”

Shkarkoni aplikacionin e A2