Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Koncesioni i pompave të naftës, MFE zbulon kontratën

Nga A2 CNN
16 Korrik 2019, 14:40 | Ekonomi
Koncesioni i pompave të naftës, MFE zbulon kontratën

Opozita dhe mazhoranca po replikojnë në distancë lidhur me koncesionin e shërbimit të kontrollit të pikave të karburanteve.

NOA Control është shpallur operatori fitues për koncesionin 20-vjeçar dhe është aktualisht në procesin e negocimit të kontratës me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, pavarësisht se çështja është ende në shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit. 

Ministria ka reaguar pas akuzave nga opozita se ky koncesion do të rrisë tarifat e shërbimit: “Koncensionari do të aplikojë të njëjtën tarifë që është e aplikueshme aktualisht në përputhje me legjislacionin për Metrologjinë dhe që edhe në të ardhmen nuk do të ketë asnjë kosto shtesë gjatë gjithë periudhës së koncensionit. Pra nuk do të ketë rritje çmimi”.Koncesioni, që vjen nga një ofertë e pakërkuar, është kundërshtuar gjatë nga bizneset dhe opozita.

Procedura e tenderimit është duke u shqyrtuar në Gjykatën Administrative të Apelit, pas vendimit të shkallës së parë për ndryshimin e kritereve të pjesëmarrjes, që disavantazhonin kompanitë e huaja.

Në një deklarate për media, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, e quajti koncesionin vjedhje dhe i bëri thirrje Prokurorisë të nisë hetimet për paracaktimin e fituesit. Sipas tij, ky koncesion dhe çdo kontratë abuzive e formës PPP që qeveria ka akorduar, do të zhbëhen me ardhjen në pushtet të opozitës.

“Edi Rama ka vendosur të krijojë një monopol të ri në tregun e hidrokarbureve, duke dhënë me koncesion kontrollin e pompave që furnizojnë qytetarët me karburant. Koncesioni i heq arkës së shtetit 100 milionë euro për 20 vjet dhe ia jep ato klientëve të Edi Ramës dhe familjes së tij. Koncesion, bashkë me të gjitha koncesionet korruptive, do të anulohet nga PD. Kush vjedh shqiptarët, do të përballet me drejtësinë".

Me tarifat aktuale, koncesionarit i garantohen rreth 2 milionë euro në vit të ardhura, 14 mijë lekë për çdo pompë karburanti në vend, përkundrejt një investimi prej vetëm 600 mijë eurosh.

Ministria e Financave njofton gjithashtu se koncesionari do të jetë nën monitorim të vazhdueshëm dhe se kontrata i jep të drejtën ministrisë ta anulojë atë në rast të shkeljes së detyrimeve.

A2 CNN Livestream

Dita jonë