Kryemadhi takim me anëtarësinë në Durrës: Të përgatitemi për zgjedhje të reja – A2

Kryemadhi takim me anëtarësinë në Durrës: Të përgatitemi për zgjedhje të reja

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me strukturat drejtuese të LSI në qytetin e Durrësit. Pasi falënderoi shqiptarët që bojkotuan, sipas saj, votimet moniste të 30 qershorit, Kryemadhi iu kërkoi anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI të përgatiten për zgjedhje të reja.

“Falenderoj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LSI që bojkotuan votimet moniste të 30 qershorit, pavarësisht presionit kriminal dhe trysnisë së pushtetit me bukën e gojës dhe vendin e punës. Muaji korrik dhe gusht nuk do të jenë muaj pushimi, por pune të plotë për zgjedhjet. Në këtë betejë jemi, jo për një zgjidhje të momentit për klasën politike, por për ndryshimin e sistemit për të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve”, u shpreh Kryemadhi.

Më tej numri 1 i LSI shtoi se qeverisja e Edi Ramës çdo ditë goditet nga një korrupsion, duke përmendur këtu se ajo ka në plan të rrisë dhe çmimin e naftës. Sipas Kryemadhit, rritja e çmimit të naftës bëhet në favor të oligarkëve dhe do të rëndojë mbi xhepat e shqiptarëve të thjeshtë.

“Çdo ditë në pushtet e Edit shoqërohet me një mega korrupsion. Në një javë dy skandale që e rrisin çmimin e naftës me 25 lekë për litër. Askush të mos mendojë që mund të gëzojë djersën, mundin dhe gjakun e shqiptarëve me kontrata korruptive. Rritja e çmimit të naftës nga dy aferat korruptive të Ramës do prekin jo vetëm xhepat e shqiptarëve, por do kenë edhe pasoja negative në gjithë ekonominë. Për dy oligarkë, do dëmtohen dhjetëra eskportues dhe mijëra prodhues në bujqësi”, përfundoi kryetarja e LSI.

Shkarkoni aplikacionin e A2