Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Nismë për shkarkimin e tij nga BSH, reagon Arben Malaj

Nga A2 CNN
16 Korrik 2019, 11:04 | Politikë
Nismë për shkarkimin e tij nga BSH, reagon Arben Malaj

Ish-ministri i financave, Arben Malaj, ka reaguar këtë të martë në lidhje me lajmin që 28 deputetë të Kuvendit nga Partia Socialiste kanë mbledhur firmat për të kërkuar shkarkimin e tij nga posti i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Burime nga Partia Socialiste thanë për A2 CNN një ditë më parë se arsyet e kësaj nisme kishin të bënin me faktin që Arben Malaj ka shkelur etikën në prononcimet publike. Malaj sqaron se në respekt të institucionit ku punon nuk do të bëjë asnjë deklaratë specifike deri përpara nisjes së ballafaqimit në mënyrë institucional.

Ai e quan këtë nismë të motoviuar politikisht, duke akuzuar kreun e grupit socialist. “Kërcënimet paralajmëruese mi ka dërguar Taulant Balla, pas mos pranimit të ndërhyrjes së tij edhe me SMS me rekomandime partiake në proceset e përzgjedhjes në Bordin e Bankës së Shqipërisë. Shqetësimi është i protokolluar në mbledhjen e Bordit të Bankës së Shqipërisë”, shkruan Malaj në një postim në Facebook.

Duke thënë se e kishte paralajmëruar që po bëheshin përpjekje për të mos e rizgjedhur në këtë post, Malaj shtoi se interesat dhe emrat konkretë të përfshirë do t’i bëjë publik gjatë ballafaqimit parlamentar.

“Gjithë shqetësimet e mia për sfidat e Bankës së Shqipërisë që nga vetting-u për "bankierët miliarderë" të cilët çuan kreditë jo performuese të vendit deri ne 50% të totalit, më lartë se në çdo vend tjetër dhe debatet për këtë në Bord janë të gjitha të dokumentuara në procesverbalet e mbledhjeve të Bordit”, shkruan Malaj, i cili e quan këtë përpjekje rastin e dytë që në shumicë në pushtet shkarkon një anëtar të Bordit të Bankës Qendrore, pas shkarkimit të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Turqisë nga ana e Presidentit Erdogan.

“Sfidën e integritetit dhe profesionalizmit e kam përherë të fituar edhe gjyqin e ri partizan e kam të fituar moralisht, do ta fitoj edhe në rrugë gjyqësore, po pagat dhe penalitetet 7-vjeçare kush do t’i paguajë? 28 deputetët, apo taksapaguesit shqiptare?”, mbyll postimin Malaj.

A2 CNN Livestream

Dita jonë