Pse kaq shumë kryebashkiakë meshkuj? Nikolla sqaron zgjedhjen e Partisë Socialiste

Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla, e ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, shpjegoi zgjedhjen e PS-së për të pasur shumë kandidatë meshkuj për bashkitë e qyteteve.

54 nga 61 kandidatët që ofroi mazhoranca në zgjedhjet e 30 Qershorit ishin meshkuj.

“Ka ndodhur kështu sepse ka ende shumë punë për të bërë për përfaqësimin gjinor. Ka dhe shumë punë për të bërë nga zonjat. Gjithsesi, kemi përfaqësimin më të mirë në pushtet vendor krahasuar me forcat e tjera. Duhet luftuar edhe mentaliteti i komuniteteve”, deklaroi Nikolla.

Në lidhje me analizën që i bëri Partia Socialiste zgjedhjeve, Nikolla tha: “Pas analizës që i bëmë 30 Qershorit, në mbledhjen e Kryesisë u mor vendim që të krijohet një strukturë e re, ndarja në 3 zona. Mendoj që kjo gjë do t’i shërbejë punës organizative të PS-së dhe vetë komuniteteve për të adresuar më shpejt problematikat”.

Përsa i përket zgjedhjeve të 30 Qqershorit, Nikolla u shpreh: “Në këto zgjedhje kushtet ishin krejt ndryshe, të pakrahasueshme me asnjë palë zgjedhje, pasi nuk ishte opozita. Duhen parë me kujdes, pa triumfin e fitores, por as duke thënë se 85% e shqiptarëve na refuzuan. Ajo që i shoqëroi përpara këto zgjedhje ka intimiduar njerëzit, por të gjitha këto janë pjesë e demokracisë. Rëndësi ka që prevaloi e drejta kushtetuese për të ushtruar votën”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN