Ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka reflektuar pakënaqësi mbi situatën ku ndodhet Partia Demokratike, ndërkohë që mazhoranca ia doli të mbante zgjedhje më 30 Qershor.
Dilemën, zotit Ristani ia ka theksuar shitësja e bukës, e cila i kishte shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë Rama, ndërsa e pyeste se çfarë do të bëjë PD-ja për ta.
Ristani nuk ka ditur se cila do të ishte përgjigjja më e mirë për shitësen e bukës. A mund t’i thoshte që do e mundin me zgjedhje, kur kanë vendosur të mos futen me Edi Ramën kryeministër në zgjedhje? T'i thoshte do e largojnë me protesta, kur me mbi 10 të tilla nuk ia kanë dalë? As me dhunë nuk e largojnë dot se nuk janë për dhunë dhe as partnerët nuk i lejojnë ta bëjnë.
Kësisoj, në mbyllje, Ristani shkruan: ''Mund t'i kisha thënë: hajde lutemi së bashku që ai të largohet vetë, por nuk do të ishte serioze. Në fakt, ka një rrugë tjetër, por atë s'ia thosha dot shitëses së bukës sepse nuk do më kuptonte''.