Ursula Von der Leyen zgjidhet presidente e Komisionit Europian

Parlamenti Europian ka zgjedhur me 383 vota Ursula Von der Leyen në postin e Presidentes së Komisionit Evropian. Sipas të dhënave paraprake në favor të saj kanë votuar dhe pjesë të socialistëve europianë.

Përpara votimit, Ursula Von der Leyen u shpreh para eurodeputetëve se për të ishte e rëndësishme vetëm forcimi i Europës dhe ai që do të dobësojë Unionin do të gjejë tek ajo një armike të fortë.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes mori 383 vota për postin e ri në krye të Komisionit Europian kur nevojiteshin 374. Ajo do të zëvendësojë në këtë post Jean Claude Juncker.

Kush është Ursula Von der Leyen, presidentja e parë grua e Komisionit Europian

Emri i saj është Ursula von der Leyen. Për herë të parë në historinë e Bashkimit Europian, një grua është në drejtim të Komisionit. Pro-evropiane e thekur që ëndërron Shtetet e Bashkuara të Europës, trashëgimtarja e Jean-Claude Juncker, është fryt i një kompromisi të pranuar nga Franca dhe të mbështetur nga 28 vendet anëtare të BE-së.

Ursula lindi në tetor të 1958-ës në afërsi të Brukselit, që konsiderohet kryeqendër e Unionit Europian, por mban nënshtetësinë gjermane. Ajo frekuentoi shkollën europiane në kryeqytetin belg, ku mësoi dhe gjuhën frënge. Më pas u regjistrua në fakultetin e Arkeologjisë në Hanover dhe vetëm pas një viti kaloi në universitetin Munster për të studiuar ekonomi. Ursula ka ndjekur dhe një sërë studimesh të tjera, gjatë të cilave njohu dhe bashkëshortin, Heyko von der Leyen. Çifti ka 7 fëmijë, dhe nga vitin 1992 deri në 1996 kanë jetuar në Shtetet e  Bashkuara.

Karrierën politike e nisi në vitin 2001, me një detyrë zyrtare në rajonin e Hannoverit. Dy vite më pas u zgjodh deputete dhe u ngarkua me postin e Ministres së Punëve Sociale. Në 2005 drejtoi Ministrinë e Familjes me vendim të kancelares Angela Merkel. 4 vite më pas kaloi tek Ministria e Punës dhe Punëve Sociale dhe në 2013-ën u bë gruaja e parë në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ursula është ministrja e vetme që ka qenë e pranishme në të gjitha ekzekutivet e Merkel nga viti 2005 deri në 2019-ën. Ideja e saj për BE-në është shumë e thjeshtë: mbështet zgjerimin, politikat pro mjedisit dhe emigracionit, por edhe sigurinë. Gjithashtu kundërshton largimin pa ujdi të Britanisë nga Unioni pasi e konsideron skenarin më të keq të mundshëm.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN