Ademi depoziton kallëzimin penal për krimet zgjedhore – A2

Ademi depoziton kallëzimin penal për krimet zgjedhore

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, ka depozituar në Prokurorinë e Shkodrës kallëzimin penal për krimet elektorale të kryera në votimet e 30 qershorit 2019.

Sipas Ademit, organet hetimore duhet të bëjnë një hetim të thelluar në lidhje me këtë çështje. “Shkodranët, shqiptarët, meritojnë ta dinë të vërtetën dhe presin që drejtësia të vihet në vend”, tha ajo pas dorëzimit të kallëzimit.

Ademi zbuloi se në dosje paraqiten të dhëna dhe fakte që lidhen vepra penale që kanë kryer persona të ndryshëm më 30 qershor, që sipas saj konsiderohen krime elektorale, si “shpërdorim i detyrës”, “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, “falsifikim i materialeve zgjedhore dhe rezultateve të zgjedhjeve”, “votim më shumë se një herë, ose pa u identifikuar”, “korrupsion pasiv në zgjedhje”, “braktisje e detyrës së komisionerëve në zgjedhje”, “shpërdorim i autoritetet policor”.

“Prokuroria, duke hetuar mund të shohë edhe vepra të tjera, por nga faktet që kemi mbledhur kemi parashtruar këto kërkesa”, shtoi Ademi.

Shkarkoni aplikacionin e A2