Bombola e gazit shkrumbon banesën në Vlorë – A2

Bombola e gazit shkrumbon banesën në Vlorë

Një bombol gazi ka shpërthyer pasditen e së mërkurës në një banesë në Drashovicë të Vlorës duke shkaktuar dëme të mëdha në banesë. Ngjarja ka ndodhur në banesën e shtetasit Razi Hoxha dhe mesa bëhet me dije shkaqet e shpërthimit të bombolës kanë qenë aksidentale.

Në banesën që ka shpërthyer bombola e gazit në fshatin Drashovicë jetonin 6 persona, në gjendje të vështirë ekonomike. Personat kanë ndjerë erën e gazit dhe kanë arritur të dalin në kohë nga banesa e cila është dëmtuar plotësisht.

Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për shkaqet e shpërthimit.

Bombolat e gazit janë kthyer në një shqetësim serioz në ditët e fundit. Mëngjesin e së mërkurës një tjetër bombol ka shpërthyer në një banesë në Selenicë duke plagosur burrë e grua.

Po kështu një shpërthim i ngjashëm ka ndodhur dhe në zonën ish Bllokut, të hënën e shkuar, nga i cili mbetën të plagosur 4 persona.

Shkarkoni aplikacionin e A2