Më 26 korrik vendimi, Zaganjori: KP refuzoi provat që kërkoi – A2

Më 26 korrik vendimi, Zaganjori: KP refuzoi provat që kërkoi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e procesit të vettingut, caktoi datën 26 korrik për shpalljen e vendimit për kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Kryegjyqtari u konfirmua në detyrë në Shkallën e Parë, por vendimi u ankimua nga ana e Komisionerit Publik. Përfaqësuesit e këtij institucioni ripërsëritën të mërkurën kërkesën për shkarkimin e Zaganjorit, për shkak të problemeve me justifikimin e pasurisë.

Në KPA, Zaganjori i kundështoi këto pretendime me 33 prova të reja. Sipas tij, Komisioneri kishte interpretuar ligjin në mënyrë të gabuare të rrezikshme, duke mos marrë në konsideratë edhe provat që vetë i kishte kërkuar.

“Mu kërkua paraqitja e dokumenteve, unë i paraqita dhe menjëherë më datë 10 korrik disa prej tyre u cilësuan si të përsëritura, që nuk kanë vlerë, në një kohë që unë mendoj që është e kundërta. Edhe ngritja e problemeve, për mua personalisht e ka një kufi. Ajo që është provë, është dokument zyrtar dhe si e tillë duhet të trajtohet”, u shpreh Zaganjori.

Nëntë ditë para vendimit që cakton fatin e tij në sistemin e drejtësisë, Zaganjori tha se si gjyqtar nuk është ndjerë në presion nga vettingu. 

Shkarkoni aplikacionin e A2