Patozi ironizon Bashën: Vendimet e institucioneve duhen njohur të gjitha, jo ato që të interesojnë – A2

Patozi ironizon Bashën: Vendimet e institucioneve duhen njohur të gjitha, jo ato që të interesojnë

Koordinatori i partisë më të re opozitare, Bindja Demokratike, Astrit Patozi reagoi pas deklaratës së kreut të PD, Lulzim Basha pas vendimit të Gjykatës së Durrësit për të mos i dhënë mandatin e kryebashkiakes, kandidates së PS, Valbona Sako.

Patozi ironizon Lulzim Bashën duke i thënë se si jurist që është duhet t’i njohë të gjitha vendimet e institucioneve dhe jo vetëm ato që i pëlqejnë.

“Eh, mor jurist, që nuk e tregon diplomën, megjithëse ta kanë bërë çështje prej shumë kohësh shkollimin tënd në Holandë! Qenke gëzuar për një vendim gjykate në Durrës, ndërkohë që po të kishe formimin elementar për atë, që pretendon se je arsimuar, duhet t’i njohësh të gjitha vendimet e institucioneve, jo vetëm ato që të pëlqejnë ty. Sepse ka dhjetëra vendime të tjera gjykatash të cilat ti nuk i pranon, se nuk të interesojnë”, shkruan Astrit Patozi në Facebook.

Më tej, Patozi vijon sulmin ndaj Bashës duke thënë se kreu i Partisë Demokratike tani ka ndryshuar dhe qëndrimin për sa i përket Bindjes Demokratike dhe pjesëmarrjes së saj në zgjedhjet e 30 qershorit.

“E nise këtë punë me gënjeshtrën që Bindja Demokratike mori pjesë në procesin e 30 qershorit për të legjitimuar fitoren e Edi Ramës. Tani e paske ndërruar pllakën e gramafonit dhe po thua që ne ishim në këto zgjedhje për të deligjitimuar procesin”, përfundon reagimin në rrjetet sociale Astrit Patozi.

Gjykata e Durrësit, gjatë ditës së mërkurë, nuk ia dha mandatin kandidates Valbona Sako me arsyetimin se zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin të ligjshme pasi Bindja Demokratike u regjistrua jashtë afatit zyrtar.

Shkarkoni aplikacionin e A2