PS, strategji për qershorin 2021, Rama: 13 tetori, një e diel si gjithë të tjerat

Kryeministri Rama tha se nuk ka ndërmend të pranojë propozimin e Presidentit Meta për zgjedhje vendore dhe të përgjithshme të parakohshme më 13 tetor, pasi, siç tha ia, PS po mendon për strategjinë e zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2021.

“Zgjedhjet janë bërë në 30 qershor, jemi shumë të angazhuar për të filluar mbarë procesin e qeverisjes vendore, për këtë kemi ngritur edhe tre këshilla drejtues dhe ky është fokusi ynë. Ne e kemi sfidën me problemet e vendit dhe të njerëzve, nuk e kemi me problemet e brendshme të opozitës apo Presidencës. 13 tetori është njëlloj si 12, 14 tetori. Nuk njoh 13 tetor, është një e diel si gjithë të tjerat”, tha Rama.

Pas mbledhjes së kryesisë së PS, Kryeministri shtoi: “Kemi folur se ku janë problemet që duhet trajtuar dhe të përpiqemi sa bashku të lexojmë votën, pritshmërinë, atë që është baza e formësimit të një qasjeje strategjike elektorati. Dhe diskutimi është lidhur sigurisht me ndërtimin e strategjisë afatmesme dhe afatshkurtër, duke konsideruar si afatmesëm zgjedhjet e qershorit 2021 dhe si afatshkurtër gjithë procesin e brendshëm të zgjedhjeve në PS, kombinuar me gjithë procesin e planifikimit dhe administrimit të gjithë këtyre territoreve që tanimë janë besuar drejtuesve socialistë në bashkitë e Republikës”.

Ai gjithashtu pranoi se është i gatshëm të nisë dialogun me opozitën, por pa vënë në diskutim mandatin qeverisës. “Është shumë ë rëndësishme të ngremë në një nivel të ri dialogun me qytetarët, sipërmarrjen, njerëzit e zakonshëm në çdo sektor, pavarësisht bindjeve dhe përkatësive politike. Dialogun e brendshëm në parti, dialogun me opozitën parlamentare dhe patjetër edhe dialogun me opozitën jashtë parlamentare. Jemi absolutisht të disponueshëm për t’u ulur në tryezë me të gjithë pa asnjë përjashtim dhe për të diskutuar për sfidat e vendit dhe patjetër për çka është e rëndësishme të adresohet në funksion të rregullave të lojës, që do të thotë reformës zgjedhore. Sa i përket mandatit tonë qeverisës këto nuk janë çështje që i kemi për diskutim me askënd tjetër, sepse lidhet me detyrimet tona”, tha ai.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN