Shtyhet për herë të tretë gjyqi ndaj tij, Tahiri: Prokuroria ka humbur dëshmitë, edhe çerdhet janë më të organizuara – A2

Shtyhet për herë të tretë gjyqi ndaj tij, Tahiri: Prokuroria ka humbur dëshmitë, edhe çerdhet janë më të organizuara

Procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, është shtyrë për herë të tretë, pasi prokuroria nuk ka dorëzuar procesverbalet e përkthyera në shqip të marrjes në pyetje të Moisi Habilajt, Nezar Seitit dhe Meridian Sulajt.

“Herën e parë u shty procesi sepse letrat që kishte sjellë posta ishin të grisura, herën e dytë se policia nuk kishte bërë njoftimet dhe herën e tretë se prokuroria ka humbur disa letra. Edhe një çerdhe është më e organizuar. Nuk e di se si mund të ndodhë që humb letra në prokurori. Nuk e di si mund të vazhdohet kështu, pasi me këto letra u kërkua arrestimi im dhe sot paskan humbur. Kjo është qesharake. Nuk dua ta di nëse është e qëllimshme apo gabim njerëzor. Po bëhet tërkuzë kjo histori. Nuk dua të shtyhet më një procedim penal që ka zgjatur gati dy vjet”, tha Tahiri.

“Është e tepërt që të shtyhet gjyqi për herë të tretë. Është poshtëruese për drejtësinë. Kur ndodhin këto gjëra me mua, vaj halli se çfarë ndodh me njerëzit e thjeshtë. Edhe pse janë dëshmi në favorin tim, unë heq dorë nga ato, mjafton që gjyqi të mos shtyhet më”, shtoi Tahiri.

Saimir Tahiri akuzohet për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Një muaj më parë, në ardhjen e radhës në gjykatë, Tahiri tha se është i lodhur nga zvarritja e këtij procesi gjyqësor dhe kërkoi gjykim të shkurtuar. Sipas tij, kjo kërkesë nuk do të thotë pranim fajësie, por që gjykimi të zhvillohet pa iu nënshtruar shqyrtimit të fashikujve gjatë procesit në themel.

Seanca e radhës së Tahirit shtyhet për në 22 korrik. Tahiri do të gjykohet bashkë me Jaeld Çelën.

Për Gjergj Kohilën dhe Sokol Boden u vendos pezullimi i gjykimit për 1 vit pasi janë në kërkim ndërkombëtar dhe nuk janë në dijeni zyrtarisht që ndaj tyre po zhvillohet gjyq.

Shkarkoni aplikacionin e A2