Vendimi i Gjykatës së Durrësit, reagon Balla: Është nul, mandatet i jep vetëm KQZ dhe Kolegji

Pas reagimeve nga kampi opozitar për vendimin e Gjykatës së Durrësit për të mos i dhënë mandatin kandidates së PS, Valbona Sako ka ardhur dhe reagimi nga ana e mazhorancës, përmes kreut të grupit të socialistëve, Taulant Balla.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka shkruar se mandatet e të zgjedhurve në Shqipëri i jep vetëm KQZ dhe Kolegji Zgjedhor dhe vendimi i gjyqtares së Durrësit është nul dhe arbitrar.

“Keqardhje për vendimin absurd, arbitrar dhe nul të një gjyqtareje, e cila mori brohoritjet e atyre që në vijim të përpjekjes së dëshpëruar për kaos e pasiguri, nuk dinë më çfarë bëjnë. Pavarësisht kësaj lajthitje anti-ligjore dhe anti-logjike të radhës, në respekt të vullnetit të popullit, çdo kryetar i sapo zgjedhur pas shpalljes së vendimit vetëm nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor do ta marrë detyrën, do ta ushtrojë dhe do të japë llogari përpara Këshillit Bashkiak sikurse ligji e parashikon. Në Shqipëri sipas Kodit Zgjedhor mandatet e të zgjedhurve i jep vetëm KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë përfundimtare dhe të pa-ankimueshme”, shkruan Taulant Balla në Facebook.

Shkarkoni aplikacionin e A2