Xhudisti braktis Italinë dhe përfaqëson Shqipërinë në Budapest! – A2

Xhudisti braktis Italinë dhe përfaqëson Shqipërinë në Budapest!

Shumë sportistë shqiptarë gjatë viteve të fundit kanë braktisur flamurin kuqezi për të garuar për shtete të tjera.

Por tashmë ka ndodhur e kundërta dhe për shumë mund të jetë e pabesueshme. Kampioni italian në xhudo Marco Maddaloni ka braktisur Italinë duke u përfaqësuar me flamurin shqiptar.

Debutimi për sportistin ishte në kampionatin e zhvilluar së fundmi në Budapest, por e mbylli atë pa medalje.

Federata Italiane e Xhudos nuk e ka futur në listën e 4 atletëve italianë, të cilët do të përfaqësojnë këtë shtet në kampionatin botëror të xhudos që do të zhvillohet në shtator 2019 në Japoni.

Mosmarrëveshjet me Federatën italiane ishin edhe arsyet që ai zgjodhi më pas të përfaqësojë Shqipërinë. “Tre vjet më parë u tërhoqa për shkak të mosmarrëveshjeve me Federatën, më pas u takova me Presidentin e Federatës Shqiptare të Xhudos dhe vendosa të përfaqësoj këtë shtet pasi mora edhe nënshtetësinë”, është shprehur xhudisti italian.

Maddaloni është shtatë herë kampion i Italisë në disiplinën sportive të xhudos, dy herë fitues i vendit të tretë në Kupën e Botës e dy herë kampion Europian. Ai do të përfaqësojë tashmë Shqipërinë edhe në kampionatin botëror që do të mbahet në Japoni.

Shkarkoni aplikacionin e A2