Çfarë lexojmë në lëvizjet e Metës, Ramës dhe Bashës?

I ftuar në Ditarin e orës 13:00 në A2 CNN, Dritan Shano, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, deklaroi se përgjigjen më të mirë për 30 qershorin e ka dhënë ODIHR në një fjali: çfarë ndodhi, nuk ishte në interes të shqiptarëve.

“Kemi gjykata që po vënë në diskutim 30 qershorin, duke zemëruar PS dhe entuziazmuar PD. Por a ka pasur zgjedhje më 30 qershor apo jo këtë përgjigje mund ta japë vetëm Gjykata Kushtetuese”, tha ai.

Në një analizë të veprimeve të tre faktorëve në krizë, Shano thotë se sot nga Meta, Rama dhe Basha kuptojmë një garë mes aktorëve se cili është më simpatiku, më perëndimori, por përgjegjësinë më të madhe e ka ai që është në pushtet.

Por si duhet ta lexojë Basha 30 qershorin? Mesazhi ishte i qartë sipas Shanos. “85 % e shqiptarëve që refuzuan të votojnë presin një propozim tjetër. Çfarë duhet të bëjë Lulzim Basha tani është të tregojë ku do t’i çojë shqiptarët, si do t’i çojë atje dhe me kë do t’i çojë. Njerëzve duhet t’u tregosh me vendosmëri se çfarë ke ndërmend të bësh”, tha ai.

A është gati PD të hyjë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër?

“PD ka ekipe shumë të përgatitura dhe një projekt, alternativë në të mirën e shqiptarëve dhe ka qenë gati gjithmonë për të garuar. Por a ka sot garë? PD luan futboll me rregullat e futbollit, ndërsa PS me të regbisë, pohon se po bën gola dhe po i bën me dorë, jo sipas të njëjtave rregulla”, përgjigjet Shano.

Lidhur me rolin e SHBA, ai thotë se amerikanët morën nga Shqipëria strehimin e opozitës iraniane, ndaj ambasada ka heshtur që nga koha kur mbillej kanabisi. “Por, që me Palmer (dhe tani me Reeker), SHBA na ka treguar se është e ndërgjegjshme që në Shqipëri mungon parimi i kontrollit dhe balancës së pushteteve. Që shteti të funksionojë duhet të ketë funksionale trion gjyqësor-legjislativ-qeveri. Sot dy të parat nuk ekzistojnë, është vetëm qeveria dhe vullneti i saj po bëhet”, deklaroi Dritan Shano në A2 CNN.

Shkarkoni aplikacionin e A2