Instagram fsheh “pëlqimet” – A2

Instagram fsheh “pëlqimet”

Instagram ka vendosur të fshehë numrin e pëlqimeve që merr një postim, në mënyrë që të ulë presionin te përdoruesit. Rrjeti social, i cili fiton gjithnjë e më tepër popullaritet, ka vendosur ta testojë fillimisht këtë risi në disa shtete, përfshi Australinë dhe Japoninë.

Poshtë postimeve do të shfaqet emri i përdoruesit dhe “të tjerë”, duke mos treguar më numrin e personave që e kanë pëlqyer atë. Megjithatë, vetë përdoruesit do të mund të shohin numrin e pëlqimeve në postimet e tyre.

Prej disa kohësh është ngritur shqetësimi se platformat e mediave sociale ndikojnë në uljen e vetëvlerësimit, sidomos te të rinjtë. Për këtë arsye, Instagram ka vendosur të vazhdojë testimet e nisura fillimisht në Kanada, edhe në shtete të tjera si Australia, Zelanda e Re, Irlanda, Italia, Japonia dhe Brazili.

Sipas kompanisë, në pronësi të Mark Zuckerberg, kjo bëhet për të ndihmuar përdoruesit që të ndihen më pak të gjykuar dhe “të përqendrohen më tepër te rrëfimi i historisë së tyre, se sa te pëlqimet”.

Shkarkoni aplikacionin e A2