Inva Mula: S’lejojmë të na ndikojë situata politike, kemi 1 vit që punojmë për MIK Festival – A2

Inva Mula: S’lejojmë të na ndikojë situata politike, kemi 1 vit që punojmë për MIK Festival

Prej datës 24 korrik në Korçë do të rikthehet Festivali MIK. Eventi është i ndarë në 5 net në të cilat do të interpretojnë rreth 120 artistë. Ky festival organizohet nga sopranoja e madhe, Inva Mula, e cila ishte “E Ftuara” e Endri Xhafos këtë të enjte.

Mes të tjerash, Inva Mula tregoi edhe detaje nga ky festival, duke u shprehur se grupi organizativ, ku bën pjesë edhe sopranoja përbëhet nga vetëm 4 persona.

Ajo konfirmoi se do të ngjitet sërish në skenë edhe pse në fund të sezonit të kaluar ishte e vendosur se nuk do ta bënte një gjë të tillë, duke i lënë më shumë hapësirë të rinjve.

“Janë 5 net të mrekullueshme. Nuk është vetëm një koncert dhe gjatë ditës ka shumë të tillë. Duhet të kthehet në një festë. Është një festë e muzikës, e artit, e njerëzve. Njerëzit kanë nevojë të bashkëjetojnë me gjërat më të bukura të jetë, që është muzika, që është arti. Që kur u mbyll festivali i kaluar isha me idenë që do të isha organizatore, por jo interpretuese. Por të gjithë njerëzit me të cilët punoj më thanë që të mos e çoja nëpër mend që festivali të bëhej pa pjesëmarrjen time.

Është një punë një vjeçare. Një festival ka shumë punë për t’u organizuar. Është një punë e jashtëzakonshme sepse ka shumë detaje. Ne kemi 120 artistë, të cilët do të vijnë dhe duhet të shkojnë. Janë 5 net të ngjeshura që duan një vit punë realizimi. Pa mbyllur edicionin e parë, ne kemi nisur të mendojmë për edicionin e dytë. Dhe, të mendoni, ekipi i punës, është vetëm me 4 persona”, tha Inva Mula.

Por si lindi ideja për festivalin? “Korça më ka thërritur, Korça ta imponon. Unë kam qenë në Pazarin e Korçës, i cili është një skenë dhe unë aty kam parë njerëz që këndojnë, njerëz që recitojnë. Unë thash ky qytet ka nevojë për një festival internacional”.

Aktualisht vendi ndodhet në një situatë krize politike, a do të ndikojë kjo në MIK Festival? “Unë do të ndjekë agjendën. Ne kemi një vit që punojmë për këto data. Nëse ne kontribuojmë pozitivisht, publiku do të vijë te festivali ynë sepse është ndryshe nga situata e përditshme. Publiku ka nevojë për këtë festival. Të gjitha netët janë falas për publikun”, u shpreh Inva Mula.

Shkarkoni aplikacionin e A2