Mazhoranca voton rendin e ditës, disa ligje “mbarten” në shtator

Kuvendi mbylli dyert për këtë sesion, me miratimin e disa ligjeve të rëndësishme. Kaluan me 106 pro, 1 kundër, 1 abstenim ligjet e mbartura prej 2 vjetësh të reformës në drejtësi. Ligji për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ai për organet e qeverisjes së drejtësisë.

Kaloi dhe Rregullorja e Kuvendit, e dakordësuar me opozitën. Maxhoranca ishte tërhequr nga neni që i kërkonte prokurorisë prova për të autorizuar arrestimin e deputetëve. E po ashtu mazhoranca u tërhoq nga krimi zgjedhor në Kodin Penal, ndërsa ndryshimet e tjera u miratuan me 96 vota pro, 11 kundër dhe 2 abstenime.

Për miratimin e koncesioneve private, mazhoranca u mbështet vetëm te votat e saj, 78 pro, 26 kundër.

Për në vjeshtë, mazhoranca do të mbartë disa vendimmarrje, si ai për shkarkimin e Arben Malajt nga posti i anëtarit të Bordit të Bankës së Shqipërisë, apo edhe ndryshimi ligjit për hetimin e krimeve të komunizmit. Sipas të cilave i kufizohej mandati Agron Tufës të hetonte krimet para Çlirimit.

Nga sot, zyrtarisht ligjvënësit marrin pushimet.

Shkarkoni aplikacionin e A2