Në Parlament ndryshimet në ligjin e PPP – A2

Në Parlament ndryshimet në ligjin e PPP

Në seancën e fundit për këtë sezon, Parlamenti ka parashikuar në rendin e ditës që të kalojë edhe ndryshimet në ligjin e Partneritetit Publik Privat.

Janë disa ndërhyrje që bëhen pas edhe kritikave të forta që FMN, por edhe institucione të tjera ndërkombëtare iu kanë bërë kontratave PPP.

Me ndryshimet në ligj, qeveria parashikon që pas 1 korrikut, të mos pranojë më oferta të pakërkuara nga privati për projektet e rrugëve. Gjithashtu, propozohet heqja e sistemit të bonusit me pikë për kompaninë që harton projektin e fizibilitetit dhe zëvendësimin e tij me një mekanizëm kompensimi.

Pjesë e ndryshimeve është edhe ngritja e Komitetit të Përzgjedhjes së Projekteve, si dhe një raportim periodik për kontratat nga kompanitë e kontraktuara.

Përveç këtij ligji, deputetët pritet të miratojnë edhe dy kontratat koncesionare PPP të rrugës Milot-Balldren si dhe atë të Orikum- Dukat, mjaft të debatuara për shkak të kostove të larta. Të dhënat tregojnë se deri më tani, qeveria ka nënshkruar 200 kontrata koncensionare, ndërkohë që kostot e tyre për buxhetin nuk janë kontabilizuar tek borxhi publik

Shkarkoni aplikacionin e A2