SHBA nuk do të furnizojnë Turqinë me avionët F-35, shkak raketat ruse

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump ka deklaruar se nuk do t’i shesë më Turqisë rreth 100 avionë F-35 ashtu siç ishte parashikuar, për shkak të vendimit të Ankarasë për të sjellë në Turqi sistemin raketor rus S-400.

Gjithsesi, për vendimin turk, presidenti amerikan nuk fajëson Erdoganin por vendimmarrjen e administratës Obama. Sipas tij, administrata  e kaluar i kishte vënë kondita të tepërta Turqisë për blerjen e sistemit raketor amerikan Patriot, duke “detyruar” aleatin e NATO-s që t’i drejtohej sistemit rus.

Presidenti amerikan tha se ka qenë i detyruar të marrë vendimin nga alarmi i Pentagonit  për mundësitë që teknikët rus që montojnë sistemin S400 mund të spiunonin teknologjinë e F-35, që do të ndodheshin në të njëjtat baza ushtarake.  

Vendimi amerikan pritet të ketë efekte jo vetëm politike dhe ushtarake, por edhe ekonomike në Turqi, nga momenti që një pjesë të komponentëve të avionit ultramodern amerikan, kostoja e të secilit tejkalon 100 milionë dollarët,  do të prodhoheshin pikërisht në Turqi.  

Sistemi raketor rus tokë-ajër i emëruar S-400 gjykohet nga analistët ndërkombëtarë si një nga armët kundërajrore më të përparuara në botë, por që ende nuk është testuar ndonjëherë në një skenar lufte.

Shkarkoni aplikacionin e A2