Ujdia me Serbinë, Haradinaj: Taksa është shteti, pa të nuk ka njohje reciproke

“Taksa është Kosovë”. Kështu u shpreh kryeministri Ramush Haradinaj, i cili vijon të mbështesë fuqishëm masën e tij kundër importimit të mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Shefi i Qeverisë së Prishtinës, paralajmëron se vetëm me taksën 100% mund të arrihet njohja reciproke në dialogun me Beogradin.

Ai ripërsëriti se nuk do t’ia japë tregun e Kosovës, një shteti që nuk ia njeh pavarësinë. Gjatë një vizite në Malishevë, Haradinaj numëroi disa arritje të qeverisë së tij, duke thënë se është treguar e guximshme përballë Serbisë, pasi ka treguar që është shtet i pavarur dhe ka krijuar ushtrinë e saj, si çdo vend tjetër sovran.

Më herët, taksa 100% krijoi përplasje të ashpër mes kryeministrit dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli. Ky i fundit tha se Haradinaj përdorë një ton të njëjtë si për Serbinë ashtu edhe ndaj Shteteve të Bashkuara dhe BE-së. Por shefi i qeverisë iu kundërpërgjigj duke thënë se mungesa e unitetit lidhur me taksën ka dobësuar Kosovën dhe fuqizuar Beogradin. 

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN