Voltana Ademi: Rama të mos fusë duart te emërimet e Gjykatës Kushtetuese

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, depozitoi një kërkesë mbi “votimet antikushtetuese” të 30 qershorit, siç i konsideron ato opozita.

Pas dorëzimit të kërkesës, Ademi zbuloi për mediat përmbajtjen e saj. “Kemi depozituar një kërkesë në lidhje me konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë së procesit zgjedhor zhvilluar më 30 qershor dhe verifikimin e kushtetutshmërisë së regjistrimit të partisë Bindja Demokratike për zgjedhjet e 30 qershorit”, u shpreh ajo.

“Jemi këtu duke iu referuar të drejtës tonë kushtetuese dhe në interesin publik të të gjithë qytetarëve për të zbatuar kushtetutën. Kemi parashtruar arsyetimet tona dhe sigurisht shpresojmë që në momentin e parë që Gjykata Kushtetuese të jetë në punë dhe të funksionojë, të mund të fillojë menjëherë gjykimin e një çështjeje me rëndësi. Ne shpresojmë shumë që Rama të mos pengojë dhe të mos fusë duart në emërimet dhe Gjykata Kushtetuese të marrë sa më shpejt vendimin”, shtoi Ademi.

E pyetur nga A2 CNN se çfarë do të bëjnë kryebashkiakët e opozitës duke qenë se Gjykata Kushtetuese do të ngrihet pas muajit shtator, ndërkohë që kryebashkiakët e rinj marrin detyrën në 10 gusht, Ademi u përgjigj: “Ne po veprojmë në mënyrë institucionale, kemi bërë atë që kemi gjykuar që është e drejtë”.

Një ditë më parë, ajo depozitoi në Prokurorinë e Shkodrës kallëzimin penal për krimet elektorale të kryera në votimet e 30 qershorit 2019. Sipas Ademit, në dosje paraqiten të dhëna dhe fakte që lidhen vepra penale që kanë kryer persona të ndryshëm më 30 qershor, që sipas saj konsiderohen krime elektorale, si “shpërdorim i detyrës”, “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, “falsifikim i materialeve zgjedhore dhe rezultateve të zgjedhjeve”, “votim më shumë se një herë, ose pa u identifikuar”, “korrupsion pasiv në zgjedhje”, “braktisje e detyrës së komisionerëve në zgjedhje”, “shpërdorim i autoritetet policor”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN