Dorëhiqet kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj – A2

Dorëhiqet kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

I prekur dhe me lot në sy, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj bëri këtë njoftim të rëndësishëm për vendin.

“Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua t’iu falënderoj për besimin dhe përkrahjen. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga dhomat e specializuara në Hagë si i dyshuar”, u shpreh Haradinaj në konferencë për shtyp.

Edhe pse ishte mjaft e dukshme, ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u mundua të mohonte se kishte lot në sy.

“Nuk e di që kam lot në sy. Emocional edhe mund të jem. Por lotët nuk po i shoh unë, ndoshta po i shihni ju prej atje”, iu përgjigj kryeministri i dorëhequr gazetarëve.

Më tej ai tha se në Hagë do të shkojë edhe njëherë për të ruajtur nderin e vendit dhe të luftës së UÇK-së. “Nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj, i dal përballë shpifësve ashtu siç e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar”, shtoi Haradinaj.

Ndër të tjera, Haradinaj ripërsëriti se Kosovës po i bëhet shumë presion për të pranuar ndarjen apo një Republikë serbe brenda saj si çmim për t’u paguar për njohjen nga Serbia. Ndërkohë, dorëheqja e parevokueshme e tij, çon vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, për të cilat Haradinaj nënvizoi se duhet të vendosë presidenti Hashim Thaçi. Ligji në Kosovë parashikohen që ato të mbahen jo më afër se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë.

Shkarkoni aplikacionin e A2