Irani kundërpërgjigjet, sekuestron 2 cisterna britanike

Mediat iraniane raportojnë se Rojet Revolucionare kanë ndaluar 2 anije cisternë me flamur britanik në Gjirin Persik.

Anija e parë është “Stena Impero” dhe pronarët e saj bëjnë me dije se ajo kishte destinacion Arabinë Saudite dhe tani kishin humbur kontaktet me të. Por nga të dhënat duket se po lëviz drejt Iranit. Kompania njofton se anija me 23 pjesëtarë ekuipazhi u rrethua nga mjete të vogla ujore dhe një helikopter në Ngushticën e Hormuzit. Anija e dytë e sekuestruar quhet Mesdar dhe ashtu si e para dhe ajo kishte si destinacion Arabinë Saudite.

Ministria e Jashtme britanike po kërkon urgjentisht përgjigje për këtë operacion të ushtrisë iraniane.

Lëvizja e autoriteteve iraniane vjen si kundërpërgjigje disa ditë pasi marina britanike dhe ajo e Gjibraltarit ndaluan një anije të madhe çisternë iraniane që mendohet se po transportonte naftë drejt Sirisë. Sipas marinës britanike, cisterna iraniane do të thyente sanksionet e BE të vendosura ndaj regjimit sirian. Zyrtarë të lartë iranianë kërkuan prej ditësh që marina britanike të lironte anijen cistern të ndaluar.

Prej kohësh, tensionet në Gjirin Persik janë rritur në nivele shumë të mëdha. SHBA ka dërguar dhe anije shtesë në Gjirin Persik me justifikimin për të mbrojtur aleatët në rajon. Ditët e fundit ushtria iraniane rrëzoi dhe një dron të kushtueshëm amerikan, për të cilin marina amerikane mori hak këtë të premte duke rrëzuar një të ushtrisë iraniane.

Shkarkoni aplikacionin e A2