Tensionet SHBA-Iran, Trump njofton rrëzimin e një droni

Presidenti Donald Trump tha se marina amerikane kishte shkatërruar një dron iranian në Ngushticën e Hormuzit, nyja kryesore e kalimit të naftës nga gjiri drejt pjesës tjetër të botës.

Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, anija e sulmit USS Boxer mori masa mbrojtëse të enjten, pasi droni iu afrua në një distancë prej 914 metrash. Incidenti ndodh 4 javë pasi Irani rrëzoi një dron amerikan vëzhgimi që fluturonte mbi hapësirën ajrore ndërkombëtare në të njëjtën zonë.

“Anija USS Boxer ndërmori aksion mbrojtës kundër një droni iranian që ju afrua në distancë shumë të ngushtë duke shpërfillur thirrjet e vazhdueshme për t’u tërhequr. Droni u shkatërrua menjëherë. Ky është i fundit në radhën e veprimeve provokuese dhe armiqësore të Iranit ndaj mjeteve lundruuese në ujëra ndërkombëtare”, tha Trump.

Por, Teherani pretendon se nuk ka informacione për humbjen e ndonjë droni. Më herët, Republika Islamike njoftoi se kishte konfiskuar një cisternë të huaj dhe 12 pjesëtarët e ekuipazhit ditën e dielë, që, sipas saj, po kontrabandonin 1 milion litra naftë në gji.

Uashingtoni kërkoi lirimin e mënjëhershëm të tyre. Teherani është fajësuar nga Shtetet e Bashkuara për sulmet ndaj cisternave të naftës që prej muajit maj. Incidentet e fundit kanë nxitur frikën për një konflikt ushtarak në rajon. Tensionet kanë qenë të larta në Gjirin Persik, që kur Shtetet e Bashkuara shtuan sanksionet kundër Iranit, pas tërheqjes së njëanshme nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.  

Shkarkoni aplikacionin e A2