Basha: Refuzimi i 30 qershorit, thirrje që i drejtohet Partisë Demokratike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte këtë të diel në Kurbin, ku u takua me strukturat e partisë, por edhe qytetarë të zonës, për t’i falënderuar për refuzimin të atyre që PD i quan “votimet e 30 qershorit”. “Po të heqim pjesëtarët e administratës, të cilët u sollën me forcë në proces dhe lanë në fletëvotime dëshmitë “më detyruan”, del se as 1 në 3 socialistë nuk u bë pjesë e kësaj farse”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës shtoi se një tjetër arsye e fortë e mospjesëmarrjes është gjendja e rëndë ekonomike në vend. “1 në 3 familje nuk mbyll dot muajin, me shpenzimet për ushqimet bazë. Papunësia ka arritur në shifra rekord dhe kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Shqiptarët po varfërohen sepse po grabiten”.

“30 qershori është refuzim i Edi Ramës, është thirrje për ndryshim. Kjo thirrje i drejtohet para së gjithash Partisë Demokratike. Është një përgjegjësi e madhe për ne, për ta kthyer këtë bashkim popullor në energjinë e ndryshimit politik dhe ekonomik që kërkon çdo shqiptar”, shtoi Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2