Dënimi i Skënderbeut, Takaj: Ka shumë pikëpyetje. Na propozuan përgjysmim të dënimit…

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, doli ditën e sotme në një deklaratë për mediat për të folur në lidhje me dënimin e konfirmuar edhe nga CAS për Skënderbeun, 10 vite përjashtim nga Europa dhe 1 milionë euro gjobë.

Takaj theksoi ndër të tjera se dënimi ka shumë pikëpyetje dhe e lidh atë edhe më federatën spanjolle të futbollit, atje ku punon edhe shqiptari Eduard Dervishi. Takaj u shpreh se kishte marrë edhe një propozim për përgjysmim të dënimit, por e kishte refuzuar atë, me shpresën se do të fitonte në fund.

“Në fund të janarit kam shkuar për të takuar shefin e Disiplinës në UEFA, zotin Garcia. Pasi më ka komunikuar të gjithë dënimin e Skënderbeut, më tha se kishte një propozim për ne: 5 vjet përjashtim dhe 250 mijë euro gjobë. Këtë unë e kisha dëgjuar edhe më herët nga Tavo në Tiranë. Për momentin shtanga sepse nuk e prisja. Në kafet e Tiranës ziente dënimi i Skënderbeut, ndërsa ne të zotët e kësaj pune, në kurrizin tonë, luhej e gjithë kjo lojë, nuk kishim asnjë informacion. I thash: si ka mundësi zotëri që këtë propozim që më bëni ju unë e kam dëgjuar në kafet e Tiranës 3 javë më parë. Nuk më dha përgjigje, por më ra krahëve dhe më tha ke të fala nga zoti Dervishi. Kjo na bëri shumë që të dyshojmë, por nuk është vetëm kjo. Në UEFA na dënon i njëjti person, shkojmë në Apel dhe na qëllon sërish relatori spanjoll. Ne e kemi kundërshtuar këtë kryetarin e seancës dhe u bë zëvendësimi, u la ky anëtar dhe kryetar u bë një turk. Por zhvillimet vazhduan edhe më tej. Në CAS, si rregull një gjyqtar e zgjedhim ne një CAS dhe një UEFA. Çudia më e madhe ishte përsëri spanjoll. Tani, ne e kemi gjyqin me UEFA-n apo me një grup të vogël spanjoll që është në këtë federatë dhe nuk e di për çfarë interesash punon. Nuk na ka dënuar UEFA, por persona të veçantë. Me zotin Dervishi nuk kam pasur ndonjëherë konflikt”, tha Takaj.

Pavarësisht dënimit, Takaj theksoi se do të vazhdojë projektin e tij me Skënderbeun. “Atë qytet nuk do ta lë pa futboll. Unë do të vazhdoj me projektim tim. Ai qytet do të ketë klubin e tij të futbollit dhe në nivele të larta. Ne do të jemi në mbështetje të futbollit atje deri në fund”.

Shkarkoni aplikacionin e A2