Lleshaj nga Vlora: Të mos ketë zaptues dhe grabitës në bregdet

Mungesa e sigurisë në plazhe ka  zhvendosur një pjesë të qeverisë në zonat bregdetare. Katër  ministra, ai i Turizmit, i Brendshëm, i shëndetësisë dhe i Ekonomisë, mblodhën task-forcën për  turizmin në Vlorë. Me tone të ashpra ka folur ministri i brendshëm Sandër Lleshaj, i cili ka marrë përgjegjësinë për  kontrollin e vijës bregdetare Vlorë – Himarë.

“E vetmja rrugë për të dalë nga kjo situatë është ushtrimi i përgjegjësive, rivendosja e ligjit në çdo centimetër katror të bregdetit, në pjesën më të bukur të tij siç është bregdeti i Vlorës. Nuk mund të pranohet asnjë njeri që zapton bregun dhe nuk paguan asnjë cent, nuk ka asnjë letër. Nuk mund të kthehet në xhungël urbane pjesa më vitale e Shqipërisë”, tha Lleshaj.

Ministri theksoi problemet në plazhe, mungesën e masave  për sigurinë e pushuesve si dhe për aksionin që do të nisë te të gjitha subjektet private që abuzojnë me çmimet dhe nuk lëshojnë kupon tatimor.

“Për këtë jeni ju përgjegjës, java që vjen duhet të jetë javë veprimi nga të gjitha strukturat që në këtë bregdet të veprohet në bazë të ligjit. Të mos ketë as zaptues, as grabitës. Pasi nëse do të ndodhë kështu duhet t’i përgjigjemi pyetjes, a jemi të paaftë për të vendosur gjendjen normale, apo nuk duam?”, shtoi ai.

Shkarkoni aplikacionin e A2