3 vite nga miratimi i reformës në drejtësi, Bylykbashi: Drejtësia e re nuk është ngritur

Tre vite nga miratimi në parlament i Reformës në Drejtësi, me konsensus të plotë edhe nga opozita, ish-deputeti Oerd Bylykbashi, e konsideron të dështuar procesin.

Përmes një reagimi të gjatë në Facebook, Bylykbashi, asokohe bashkëkryesues i komisionit për reformën, shprehet se nuk ka asnjë rezultat nga nga ajo që u vendos në Kuvend.

“Asnjë institucion i drejtësisë nuk është ngritur, madje sot, nuk ka as Gjykatë të Lartë e as Gjykatë Kushtetuese”, thekson Bylykbashi.

Ai nënvizon se vendimi i Gjykatës së Durrësit për njohjen e mandatit për kryetaren e Bashkisë, Valbona Sako, është fryti më i fundit i hidhur i kësaj reforme. “Para tre vitesh kam deklaruar publikisht se me këtë arkitekturë hibride që nuk ka kushëri askund mes sistemeve europiane, fryt i një eksperimenti, ky sistem drejtësie dështon brenda 10 vitesh”, thekson më tej në reagimin e tij, ish-deputeti demokrat Oerd Bylybashi.

Paketa e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, u miratua me 140 vota pro në 21 korrik 2016, nga 140 deputetë të pranishëm në sallë, duke marrë edhe përgëzimin e ndërkombëtarëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2