Kreu i KLP, Ibrahimi: SPAK nis punën në shtator, rihapen çështjet “e nxehta”

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi dha një intervistë për Deutsche Welle ku foli për procesin e përzgjedhjes së Prokurorëve të Strukturës së Posaҫme Anti – Korrupsion dhe kohën se kur do të ngrihet kjo njësi.

“Procesi nisi në fillim të janarit të këtij viti, kur u hap gara për prokurorët e SPAK. Kemi pasur 28 kandidatë nga të cilët KLP përzgjodhi 15. Ata u vlerësuan në bazë të 2 kritereve: aftësive profesionale dhe karakterit të fortë  dhe vendosmërisë  profesionale.

Nga shtatori apo fillimi i tetorit nis ngritja e SPAK. Për secilin nga 15 kandidatët e SPAK, KLP do të marrë një vendim për ta emëruar sapo të kalojë vettingun. Kur kjo të ndodhë për 7 apo 8 prej tyre do të shpallim krijimin e SPAK dhe fillimin e funksionimit të tij. SPAK nuk mund  të ketë më pak se 10 prokurorë”, u shpreh Ibrahimi.

Më tej kreu i KLP shpjegoi se SPAK do të nisë punën me hetimin e dosjeve “të nxehta” lidhur me korrupsionin dhe lidhje me krimin në nivelet më të larta të cilat kanë qenë të fjetura prej kohësh. Sipas Ibrahimit, një nga dosjet për të cilat do të vijojë hetimi do të jetë për ish kryeprokurorin Llalla, i cili akuzohet për pastrim parash.

“SPAK do të trashëgojë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth 90 % të portofolit të kësaj prokurorie, p.sh. do të vijojë hetimin e pastrimit të parave nga ish-Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla. Besimi i publikut tek SPAK do të sjellë kallëzime të reja penale. Vetë prokurorët e SPAK, shpresoj të gjejnë guximin të aktivizojnë ҫështje të fjetura. Portofoli i SPAK do të jetë më i pasur nga ai i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila do të shkrihet kur SPAK të fillojë punën dhe prokurorët e saj do të emërohen nga KLP në zyrat e prokurorive të rretheve”, deklaroi kreu i KLP.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN