Vasili reagon për 3 vjetorin e reformës në drejtësi: Humbëm dhe atë pak drejtësi që kishim – A2

Vasili reagon për 3 vjetorin e reformës në drejtësi: Humbëm dhe atë pak drejtësi që kishim

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili reagoi në rrjetet sociale për 3-vjetorin e miratimit me 140 vota në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese për reformën në sistemin e drejtësisë.

Përmes një statusi të gjatë, Petrit Vasili tregon se në mesnatën e 21-22 korrikut të gjithë mendonin se drejtësia e re do të bëhej një realitet dhe se institucionet e reja do të ngriheshin shumë shpejt e brenda afateve. Sot pas 3 vitesh, nënkryetari Vasili thotë se drejtësi jo vetëm që nuk ka, por thjesht është humbur dhe ajo pak që ishte, duke theksuar këtu zgjedhjen e kryeprokurorit të përgjithshëm, bllokimin e Kushtetueses etj.

Vasili shkon dhe më tej në reagimin e tij duke postuar dhe një foto të ambasadores Vlahutin dhe ambasadorit Lu që putheshin pas miratimit me konsensus të gjerë të ndryshimeve kushtetuese.

“Në mesnatën e 21-22 korrikut të 2016 ndodhi një puthje memorabile mes ambasadores Vlahutin dhe ambasadorit Lu për të kremtuar votimin me 140 vota të ndryshimeve Kushtetuese të Reformës në Drejtësi. Të gjithë pas kësaj puthje, imagjinuan se një ëndërr po bëhej realitet dhe se drejtësia që kishim parë e admiruar në filma hollivudianë dhe europianë do të ishte një realitet tashmë edhe ndër ne. Në ndryshimet e miratuara në 21-22 korrik, të bekuara edhe nga kjo puthje kuptimplotë, kishte data dhe afate të shkruara me një saktësi, të paparë, ndaj edhe ne të gjithë patëm iluzionin se e kishim në pëllëmbën e dorës drejtësinë e re, e cila do të ndërtohej fët e fët, sepse Kushtetuta e re e sapo miratuar nuk linte shteg nga të lëvizje. Por pas kësaj puthje, as drejtësia e re nuk lindi, por humbëm edhe atë pak drejtësi që kishim. Të gjitha afatet e shkruara në Kushtetutë u shkelën dhe nëpërkëmbën shumë më keq se në drejtësinë e mëparshme. Prokurorin e Përgjithshëm, e shpikën të përkohshëm, kundër Kushtetutës, e grabiti Edi Rama dhe qeveria me 69 vota dhe pa vetting, shumë më keq se më parë. Humbëm Gjykatën Kushtetuese që kishte dhënë më parë dhjetëra vendime kundër të gjitha qeverive të majta e të djathta, më keq se më parë”, thuhet ndër të tjera në postimin e Petrit Vasilit.

Shkarkoni aplikacionin e A2