9-vjetori i vendimit të GJND, Thaçi e Haradinaj: Datë e rëndësishme e shtetësisë së Kosovës – A2

9-vjetori i vendimit të GJND, Thaçi e Haradinaj: Datë e rëndësishme e shtetësisë së Kosovës

Liderët kosovarë kanë reaguar këtë të hënë në shënimin e 9 vjetorit të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila deklaroi se pavarësia e Kosovës është e drejtë dhe nuk bie ndesh me ligjet ndërkombëtare.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj e cilësoi 22 korrikun si një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës. Haradinaj shprehet se sot pas 9 vitesh, Kosova është më e fortë së kurrë si shtet i pavarur dhe demokratik.

“Një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës është edhe 22 korriku i vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli verdiktin se, Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare. Ky vendim historik për vendin, konfirmoi themelet e pavarësisë tonë, të sovranitetit të shtetit dhe integritetit territorial. Për koicidencë, një ditë para vendimit të GjND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor. Sot, kur sërish thirrem në Hagë, në këtë përvjetor të nëntë, Kosova është më e fortë se kurrë, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, i pandashëm dhe i përkushtuar në rrugën euro-atlantike”, shkruhet në reagimin e Haradinajt në rrjetet sociale.

Edhe presidenti Hashim Thaçi ka reaguar për këtë datë historike. Sipas kreu të shtetit, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte fitorja më e madhe ndërkombëtare e Kosovës.

Në postimin e bërë në profilin e tij zyrtar në Facebook, Thaçi shprehet se vendimi i GJND ka përcaktuar rrugën për anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB.

“U bënë nëntë vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila konfirmoi të drejtën tonë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kjo ishte fitorja më e madhe ndërkombëtare e Republikës së Kosovës, e cila i hapi rrugë forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe vulosi përjetësisht të drejtën tonë për vetëvendosje. Ky vendim ka trasuar rrugën për anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB”, shkruan presidenti Thaçi.

Shkarkoni aplikacionin e A2