Bylykbashi: Nuk kemi frikë, i dalim përballë Ramës

Demokratët ndihen të tradhtuar, jo vetëm nga socialistët, për konsensusin që dhanë 3 vjet me parë për miratimin e Reformës në Drejtësi.

“Me sa duket, PS dhe kushdo që e mbështeti PS ishte t’i marrim votat opozitës për Kushtetutën, se nuk i kemi, e më pas bëjmë ç’të duam vetë me vota për të miratuar ligjet. Kjo është jo thjesht një shkelje e besimit, por një precedent shumë i rrezikshëm”, tha Oerd Bylykbashi, i ftuar në Ditarin e orës 13:00, në A2 CNN.

Ish-deputeti i PD, thotë se drejtësia sot jo vetëm ka humbur pavarësinë e saj, por është kapur nga pushteti. “Kemi copa që po ngrihen, por ende nuk e kemi ngrehinën e re të sistemit të drejtësisë”.

Dhe për këtë, ai ka një shpjegim. “Me një sistem më të thjeshtë do të kishim ecur shumë më shpejt dhe me më pak ngërçe. Duke i fragmentuar në disa trupa, i bëjmë më të vogla përballë një pushteti arrogant siç është kryeministri”.

Ndërsa ofron mbështetjen për SPAK, Prokurorinë e posaçme që do të hetojë zyrtarët e lartë, Bylykbashi përsërit se shpresat i ka te ndërkombëtarët, që ajo të veprojë e pavarur. Dhe tek ndërkombëtarët, Bylykbashit duket se i ka mbetur në mendje një batutë e ish-ambasadorit amerikan, Donald Lu, i cili shprehej se një mënyrë për të kuptuar nëse gjyqtarët janë të korruptuar, ishte nëse kishin një ore më të shtrenjtë se makina e tij. “Ora ime e dorës është më e lirë se sa makina e çdo lloj ambasadori dhe për rrjedhojë, ne i dalim përballë kësaj maxhorance dhe e akuzojmë”, tha Bylykbashi.

Shkarkoni aplikacionin e A2