Koncesionet për naftën, PD: Taksë e re që do të rëndojë qytetarët – A2

Koncesionet për naftën, PD: Taksë e re që do të rëndojë qytetarët

Partia Demokratike iu rikthye çështjes së koncesioneve të dhëna nga Qeveria që sipas selisë blu do të shtrenjtojnë çmimin e karburantit. Koncesioni për pompat dhe krijimi i agjencisë për rezervën dhe sigurinë e karburantit, janë dy elementet e denoncuar nga demokratet.

“Duke nisur nga viti 2014 qeveria ka rritur taksën e qarkullimit, që paguhet në çdo litër karburant të blerë, duke shtrenjtuar çmimin. Edhe kur çmimi i karburantit në tregjet ndërkombëtare shënoi rënien më të madhe në histori, shqiptarët paguanin më shumë. Të pangopur me vjedhjet dhe koncesionet ndaj oligarkëve qeveria ka vendosur të japë një tjetër PPP. Kësaj radhe projekti mafioz përfshin dhënien me PPP të pompave të karburantit dhe krijimin e një agjencie për rezervën e sigurisë për karburantin.

PPP-ja e pompave të karburantit është një projekt mafioz nisur nga qeveria në shtatorin 2018 dhe denoncuar nga Partia Demokratike që në krye të herës”, tha ish-deputetja demokrate Izmira Ulqinaku, në një deklaratë për mediat.

“Rama ka vendosur të krijojë një agjenci sigurimi të karburantit. Paratë natyrisht për këtë projekt do të dalin nga xhepat e shqiptarëve. Sipas të dhënave nga bizneset, pritet që produkti i naftës të shtrenjtohet minimalisht me 20 lekë për litër”.

Shkarkoni aplikacionin e A2